image Si funksionon prodhimi ‘ilegal’ i kriptomonedhave në Shqipëri

Shqipëri

Si funksionon prodhimi ‘ilegal’ i kriptomonedhave në Shqipëri

news image

Prodhimi i kriptomonedhave është i lejuar me ligj në Shqipëri, por shumica e pikave që prodhojnë këtë kriptovalutë nuk kanë licencë.

Përdoruesit e kriptovalutave në rrjet mund të ndikojnë në vlerën e tyre. Deri më tani në treg gjenden rreth 5 mijë lloje kriptovalutash, por më i njohuri prej tyre është Bitcoin, i prodhuar më shumë se një dekadë më parë.

Kohët e fundit prodhimi i kriptovalutave ka nisur të prodhohet edhe në Shqipëri, ku sipas ligjeve atje, është e lejueshme të prodhohen.

“Shqipëria ka miratuar ligjin 66\2020, në 21 maj të vitit 2020 në të cilën ka bërë dhe një rregullim ligjor me mënyrën e transaksionit me mënyrën e krijimit të burasve dhe personave që do merren me krijimin e tyre, që janë dhe agjentë të tregtimit. Ky është një hap shumë cilësor dhe avangard në Europë, mjaftoj t’u përmend që ne ishim të tretët në Europë që kemi bërë një ligj të tillë për kriptomonedhat, dhe ky ligj për tu vënë në zbatim ka nevojë dhe për aktet nënligjore”, shprehet Indrit Sefa, jurist në Shqipëri.

Ligji shqiptar përcakton qartësisht se të prodhosh kriptomonedha duhet më parë të marrësh licencën për këtë veprimtari. Mbikëqyrjen e këtij tregu e bën Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe AKSHI. “Unpublished” iu drejtua me një shkresë zyrtare AMF, për të parë sa licenca të tilla janë dhënë deri tani.

“Deri tani, pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nuk ka mbërritur asnjë kërkesë për licencim në bazë të Ligjit nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, thuhet në përgjigjen e AMF.

Çdo pikë që prodhon këtë monedhë në Shqipëri, punon ilegalisht. Por pse ndodh kjo, kur me ligj është e lejueshme që të prodhohet? Prodhimi i Bitcoin shpenzon sasi marramendëse të energjisë elektrike. Sipas disa studimeve të fundit, vihet re se sasia e kësaj energjie është sa e gjithë sasia që i duhet shtetit të Irlandës.

Faturat kanë shifra marramendëse, të vështira për t`’u përballuar nga individët. Ndaj, personat që po arrestohen në Shqipëri nuk po akuzohen për prodhim të paligjshëm të Bitcoin, por për vjedhje të energjisë elektrike.

“Problemi nuk qëndron në krijimin në vetvete të kriptomonedhave, nuk është vepër penale dhe e ndaluar nga institucionet shqiptare penale. Problem është që siç i keni dëgjuar dhe ju, pjesën më të madhe e të krijuarit e merr kriptomonedha Bitcoin që sot ka një vlerë të jashtëzakonshme, diku te 62 mijë dollar 1 Bitcoin. Problem i kësaj kriptomonedhe është që kërkon një sasi shumë të madhe energjie dhe një investim shumë të madh teknologjik për prodhimin e tyre. Sot në rastin se do të krijojmë një kriptomonedhë, vlera financiare, sasia e energjisë dhe investimi për të prodhuar 1 kriptomonedhë, nuk është e favorshme për tregtimin e saj në atë vlerë”, thotë juristi Sefa.

Policia e Shtetit, vetëm përgjatë vitit 2021, ka realizuar të paktën 2 operacione, që çuan në shkatërrimin e dy bazave të prodhimit të kriptovalutave. Në njoftimet e bëra për shtyp, thuhej se këta persona u arrestuan për prodhim të kriptomonedhave, edhe pse siç u theksua më lart ligji shqiptar nuk e pengon një gjë të tillë.

/Gazeta Sinjali/