image MASHTI ende pa një plan konkret për realizimin e provimit pranues në UP

Kosovë

Arsim/ MASHTI ende pa një plan konkret për realizimin e provimit pranues në UP

news image

Ndonëse ka mbetur rreth një muaj deri më mbajtjen e provimit pranues për studentët e rinj, ende nuk ka një plan konkret se si do të realizohet ky provim për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Ditë më parë Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë prezantuar planin për lehtësimin e masave kufizuese që ishin marrë javë më parë. Sipas këtij plani, janë paraparë disa faza kur do të nisin lehtësimet, dhe në fazën e tretë që fillon nga 1 qershori është planifikuar edhe mbajtja e provimeve në arsimin e lartë. Mirëpo për mënyrën e organizimit të provimeve duhet të vendosë Universiteti bashkë me Ministrinë e Arsimit.

Universiteti i Prishtinës është në pritje të një vendimi të Ministrisë së Arsimit për këtë çështje. Rektorati në një përgjigje me shkrim ka theksuar se janë të gatshëm që sipas vendimeve dhe kërkesave të MASHTI-t, ta realizojnë regjistrimin e studentëve të rinj, si dhe procedurat pasuese, në mënyrën që ju rekomandohet.

“Për të tilla detaje do të informoheni publikisht me kohë dhe në koordinim me vendimet dhe rekomandimet qeveritare. Ju informojmë që universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ që nga shfaqja e pandemisë së COVID-19 në vendin tonë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme me qëllim mundësimin e mësimdhënies dhe mësimnxënies përmes platformave virtuale, duke ruajtur kështu shëndetin e studentëve, stafit dhe të familjarëve të tyre”, thuhet në përgjigjen e UP-së për Kohën.

Rektorati nuk ka treguar për numrin e studentëve që planifikojnë t’i regjistrojnë këtë vit. Sipas Statutit të UP-së, këtë gjë duhet ta vendosë Senati i Universitetit./Gazeta Sinjali/