Rreth dy muaj më parë, mbi 350 rekrutë kishin mësyrë kazermën e FSK-së në Ferizaj me synimin e vetëm që nga aty të dilnin si ushtarë. Por jo të gjithë e kishin arritur këtë sukses.
Sinjali mëson nga burimet se të paktën 10 rekrutë gjatë periudhës dy mujore sa kishin qenë duke qëndruar në kazermë ishin ‘dorëzuar’. Ata kishin vendosur ta braktisin Ushtrinë e Kosovës.
Ndërkohë edhe 7 rekrutë të tjerë kishin dështuar në fund të trajnimit pasi nuk kaluan testin e fundit fizik edhe pse i njëjti ishte përsëritur për ta. Më 9 gusht, ata nuk arritën të jenë pjesë e 337 personave që u diplomuan në ceremoninë që u mbajt në kazermën “Adem Jashari” .
Në interesimin e Sinjalit për këtë çështje në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk kanë dhënë detaje se sa persona janë larguar nga FSK me vetë dëshirë si dhe sa rekrutë të tjerë kanë dështuar në testin final.
Ministria në përgjigje tregon se 6 mijë e 624 persona kishin aplikuar për t’u bërë pjesë e FSK-së prej të cilëve kushtin fillestar e kanë kaluar vetëm rreth 350 veta. Kjo ministri konfirmon se grupi i dytë i rekrutëve të FSK-së do të fillojë në shtator të këtij viti.
“Në konkursin e shpallur nga Ministria e Mbrojtjes me 11.02.2019, për rekrutimin e rekrutëve të rinj, kemi pranuar 6624 aplikacione të rregullta. Bazuar në kriteret e përzgjedhjes, janë përzgjedh 649 rekrutë të rinj. Trajnimin bazik e kanë përfunduar më 09.08.2019 gjithsejtë: 337 rekrutë (grupi i parë). Grupi i dytë do të filloj trajnimin bazik në muajin shtator të këtij viti. Për të qenë ushtarë në FSK dhe për të nënshkruar kontratë për shërbim sipas ligjit, kërkohet të kalohet edhe procesi i verifikimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Kujtojmë se më 9 gusht në kazermën “Adem Jashari” kishin diplomuar 377 ushtarë të FSK-së, prej të cilëve 52 femra dhe 22 nga komunitetet pakicë./Sinjali/