image Shtyllat elektrike në rrugën Piranë - Retijë gati të rrëzohen përtokë

Sociale

Shtyllat elektrike në rrugën Piranë – Retijë gati të rrëzohen përtokë

news image

Shtyllat elektrike të cilat janë të vendosura në rrugën Piranë – Retijë janë gati të rrëzohen përtokë, raporton Gazeta Sinjali.

Një banor i kësaj pjese ka thënë për Gazetën Sinjali se njëra nga këto shtylla ka rënë në rrugë pasditen e djeshme rreth orës 15:00.

Ai thotë se në momentin e rrëzimit, në rrugë ka qenë duke kaluar një veturë, shoferi i së cilës është detyruar të kalojë në arat skaj rrugës.

“Kjo shtyllë u këputë në momentin kur ka qenë duke kaluar me veturë një familje. Për të mos e goditur shtyllën ka dalë arave me veturë. Është rrezikuar një familje e tërë”, ka thënë ai.

Ai thotë se shtylla e këputur nga toka është vendosur sërish në një thellësi rreth 50 centimetra dhe rrezikon të rrëzohet sërish.

Në gjendje të njëjtë, banori thotë se janë edhe katër shtylla të tjera të vendosur përbri rrugës.

Për këtë hall ky banor thotë se ai vetë personalisht ka njoftuar KEDS-in, por se deri tani thotë se nuk kanë intervenuar asnjëherë.

Ai thotë se këto shtylla duhet të zëvendësohet urgjentisht, pasi që janë të kalbura dhe thotë se rrezikojnë të rrëzohet se herë që fryn erë.

“Çdo ditë që kalojmë aty na rrezikohet jeta prej këtyre shtyllave”, ka përfunduar ai.

Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktojë me KEDS-in për këtë problem, por nuk ka pranuar përgjigje./Gazeta Sinjali/