Ministria e punës dhe Mirëqenies Sociale ka kryer pagesa për skemat pensionale dhe ndihmat sociale pa bazë të qartë ligjore. Shuma e parave që janë shpenzuar për këto pagesa është afër 1 milion euro.
Rastet më të shpeshta të përfitimit të më shumë se një pensioni nga skemat pensionale janë përfituesit që i takojnë kategorisë së Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kishte kryer 4481 pagesa për të gjitha kategoritë në vlerë prej 991.852 euro.
Kështu ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për MPMS-në.
“Ministria kishte kryer pagesa të tilla edhe në vitet paraprake deri në muajin shtator 2018 kur edhe ishin ndërprerë ato, për tu kthyer përsëri me vendim të Qeverisë NR.12/82 të dt. 28.12.2018. Me këtë vendim ishte aprovuar vazhdimi i pagesave të pensioneve të dyfishta për FSK-në dhe TMK-në deri në interpretimin përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale nga institucioni i ngarkuar me këtë kompetencë. Kjo praktikë e këtyre pagesave ka vazhduar edhe në vitin 2019, pasi që deri në përfundimin e auditimit për vitin 2019, ministria nuk kishte arritur të siguroj interpretim të bazës ligjore për skemat pensionale në fjalë apo të përditësojë kornizën ligjore aktuale, siç edhe parashihet me Strategjinë Sektoriale 2018-2022 të aprovuar nga Qeveria” thuhet në raportin e ZKA-së.
Sipas këtij raporti, lloji i pensionit që është paguar më së shumti është për kategorinë e TMK-së. Janë kryer 3395 pagesa në vlerë prej 738,288 euro.
Kategoria e dytë më e paguar janë pensionet e FSK-së, 944 pensione janë paguar për 227,454 euro.
Pagesa për personat të cilët përfitojnë pensione të dyshimta sipas Auditorit mund të shkaktojnë dëmtim të buxhetit të Ministrisë.
Ky institucion rekomandon që ministria të iniciojë sa më shpejtë procedurat për harmonizimin e legjislacionit për skemat pensionale duke shfrytëzuar mekanizmat ligjor te organet përkatëse të cilat janë të ngarkuara me përgjegjësi për të bërë interpretime dhe vlerësime të pajtueshmërisë së dispozitave ligjore
Pagesa të tilla, sipas auditorit janë kryer edhe në vitet paraprake deri në muajin shtator 2018 kur edhe ishin ndërprerë ato, për tu kthyer përsëri me vendim të Qeverisë NR.12/82 të dt. 28.12.2018. Me këtë vendim ishte aprovuar vazhdimi i pagesave të pensioneve të dyfishta për FSK-në dhe TMK-në deri në interpretimin përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale nga institucioni i ngarkuar me këtë kompetencë. Kjo praktikë e këtyre pagesave ka vazhduar edhe në vitin 2019, pasi që deri në përfundimin e auditimit për vitin 2019, ministria nuk kishte arritur të sigurojë interpretim të bazës ligjore për skemat pensionale në fjalë apo të përditësojë kornizën ligjore aktuale, siç edhe parashihet me Strategjinë Sektoriale 2018-2022 të aprovuar nga Qeveria./GazetaSinjali/