image Shtesat prej 100 euro, Haradinaj: Qeveria po arsyeton ligjin e pagave me lëmoshë, çka të bëjnë qytetarët që nuk punojnë?

Politikë

Shtesat prej 100 euro, Haradinaj: Qeveria po arsyeton ligjin e pagave me lëmoshë, çka të bëjnë qytetarët që nuk punojnë?

news image

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për vendimin e Qeverisë për të ndarë 100 milionë euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit publik dhe privat.

Haradinaj ka thënë se ky vendim është i vonuar dhe është një lloj shfajësimi për mosngritjen e pagave, transmeton Gazeta Sinjali.

 “Vendim mjaft i vonuar. Me këtë vendim nuk po synohet zgjedhja e problemeve. Por po synohet shfajësimi për mosrritjen e pagave, kur po ka vazhdimisht rritje të çmimeve. Po provohet që me lëmoshë, pra me këto shtesa që ofrohen vetëm një herë pra janë një-burimore, të arsyetohet Qeveria për pagat. Nëse nuk rriten pagat, atëherë me këto shtesa të Qeverisë ne do të mund të mbulojmë një borxh, qoftë borxh i energjisë elektrike apo diçka tjetër, por kjo është vetëm një herë, nëse pagat nuk ngriten”, ka deklaruar Haradinaj në RTV 21.

Ai ka thënë se AAK-ja ka propozuar më herët që t’ju ofrohen nga 100 euro të gjithë qytetarëve pa përjashtim, pasi që kështu nuk do të përjashtohej nga kjo ndihmesë asnjë kategori e qytetarëve.

“Paratë po ju ndahen vetëm disa sektorëve, çka me të tjerët që nuk ju takojnë këtyre kategorive? Ata që nuk punojnë? Pra është një lloj mashtrimi që po ndodh faktikisht, teksa Kurti nuk po dëshmon se ka një plan për më tutje”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndryshe, sipas vendimit të Qeverisë, ata që përfitojnë nga skemat sociale, punëtorët e sektorit privat dhe publik dhe studentët do të përfitojnë nga 100 euro shtesë.

Pensionistët këtë shtesë do ta marrin qysh në muajin prill, ndërsa për kategoritë tjera do të duhet pak më shumë kohë, siç ka thënë në konferencën e sotme për shtyp ministri i Financave, Hekuran Murati.

/GazetaSinjali/