Ditën e sotme, këshilltari për Shëndetësinë në Shtëpinë e Bardhë, Dr. Anthony Fauci deklaroi se të dhënat mbi testimin e një ilaçi antiviral kundër koronavirusit, kishin dhënë rezultate “mjaft premtuese”.
Dr. Fauci, përgjatë një deklarate, u shpreh se të dhënat tregonin se ilaçi “Remdesivir” kishte dhënë efekt pozitiv përsa i përket zvogëlimit të kohës së rikuperimit të pacientëve të prekur me koronavirus.
Zyrtarët e shëndetësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë duke pritur publikimin e raportit të plotë të testimit të kryer nga Instituti Kombëtar i Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, mbi ilaçin.
Kompania që prodhon këtë bar, “Gilead Sciences” deklaroi pak më herët se studimi arriti në synimin e shumëpritur pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Gilead”, gjithashtu bëri publike dhe rezultatet e një studimi të vetë kompanisë që tregon se të paktën 50% e pacientëve të trajtuar me 5 doza në ditë remdesivir u përmirësuan. Në testin klinik u përfshinë 397 pacientë të prekur me Covid-19. /Gazeta Sinjali/