image Shtatorja e kampiones Majlinda Kelmendit përurohet më 28 shkurt

Kosovë

Sport/ Shtatorja e kampiones Majlinda Kelmendit përurohet më 28 shkurt

news image

Shtatorja e kampiones olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, do të përurohet më 28 shkurt në ora 11:00. Ajo do të vendoset në Pejë, në qytetin e lindjes së kampiones.

Këtë e ka bërë të ditur trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Që më 18 korrik të vitit të kaluar Kuka kishte njoftuar se Federata Ndërkombëtare e Xhudos, përkatësisht presidenti i saj, Marius Vizer, ka angazhuar artistë të njohur botëror për të punuar një shtatore të bronztë për Majlindën. Federata Botërore ka mbuluar shpenzimet e punimit të shtatores, ndërsa kishte dilema vetëm se ku do të vendosej ajo.

Një prej ideve fillestare ishte që shtatorja të vendosej diku në Prishtinë. Më 15 gusht të vitit të kaluar, Ministri i atëhershëm i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të ndajë një lokacion të përshtatshëm për vendosjen e shtatores së Majlindës. Sipas trajnerit Kuka, nga Komuna nuk ka pranuar asnjë përgjigje zyrtare.

Në dhjetor Kuka njoftoi se shtatorja po vinte në Kosovë. Duke mos marrë përgjigje nga komuna e Prishtinës, shtatorja u dërgua në Pejë dhe do të zbulohet më datën 28 shkurt. Në ceremoninë e zbulimit do të jetë edhe i pari i IJF-së, Marius Vizer.

“Vizeri vjen javën tjetër në ceremoni të KOK-ut dhe në përurim të shtatores së Majlindës në Pejë. Kemi vendosur që shtatoren e Majlindës ta vendosim në një park në qytetin tonë. Është një vend i mirë, afër Shtëpisë së Kulturës. Përurimi bëhet më 28 shkurt nga ora 11:00”, ka njoftuar Kuka.

Majlinda Kelmendi është bindshëm sportistja më e mirë shqiptare e të gjitha kohërave.

Në vitin 2013, ajo qëndronte në vendin e parë në renditjen ndërkombëtare nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos për kategorinë −52 kg. Në vitin 2014, Majlinda u shpall xhudistja më e mirë në botë në të gjitha kategoritë nga presidenti i FNXH-së, Marius Vizer. Më 24 dhjetor 2014, ajo u dekorua nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga me titullin “Medalja Presidenciale e Meritave”./GazetaSinjali/