Sot mbushen shtatë vjet nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.
Marrëveshja është kulmi i përpjekjeve dhe përkushtimit në agjendën evropiane të më shumë se një dekade e gjysmë të institucioneve të Kosovës, dhe të njëjtën kohë paraqet një fillim të ri që i hap rrugë, përshpejton dhe e përforcon procesin të integrimit evropian me qëllim të anëtarësimit në BE.
Kjo ishte marrëveshja e parë kontraktuale midis BE-së dhe Kosovës, e cila u nënshkrua më 27 tetor 2015 dhe ka marrë pëlqimin e Parlamentit Evropian dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Marrëveshja hyri në fuqi më 1 prill 2016.
MSA sjell dobi të shumta që prekin rrafshet politike, ekonomike, të përafrimit të legjislacionit, që si rezultat do të përmirësojnë institucionet, dhe mjedisin e biznesit, dhe do të ndikojnë edhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve.
Sa i përket pjesës politike, Kosova merr përsipër që të zbatojë një agjendë edhe më ambicioze të reformave, të drejtuar kah zhvillimi politik, ekonomik dhe social, dhe nga ana tjetër BE-ja zotohet që t’i mundësojë Kosovës të gjitha instrumentet që ka në dispozicion, përfshirë ato financiare, që të arrihet zbatimi i këtyre reformave, në mënyrë që vendi ynë të përmbushë kriteret e anëtarësimit.
Nga pikëpamja ekonomike, MSA përforcon marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në mes të Kosovës dhe BE-së duke krijuar gradualisht një zonë të tregtisë së lirë në mes të BE-së dhe Kosovës.
Ndër të tjera, MSA-ja ofron mbështetje teknike dhe financiare për reformat ekonomike të Kosovës që do të çojë drejt përforcimit të një ekonomie funksionale të tregut, e cila do të jetë në gjendje të përballet me presionin konkurrues të tregut të BE-së.
Qeveria e Kosovës i ka paraparë të gjitha këto veprime përmes Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Ky program është dokumenti kryesor nacional i politikave për aderim në BE dhe qëllimi parësor i programit është përmbushja e detyrimeve të MSA-së brenda afateve të parapara me këtë marrëveshje. /KP