Shtatë persona janë lënduar në tri aksidente trafiku që kanë ndodhur gjatë dy ditëve të kaluara në rajonin e Prizrenit, shkruan Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se më datë 25.12.2020 rreth orës 23:55 në fshatin Malësia e Re në Prizren, ka ndodhur një vetaksident. Si pasojë e vetaksidentit, drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri kanë marrë lëndime trupore.
Ndërsa, katër persona kanë marrë lëndime si pasojë e një vetaksidenti dje në fshatin Rapçe të Dragashit. Sipas burimeve, dyshohet se derisa vozitësi ishte duke drejtuar veturën, nga pakujdesia dhe mos përshtatja e shpejtësisë në kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin dhe është rrokullisur.
Po ashtu, në rrugën “Rrust Kabashi” në Prizren, një aksident ka ndodhur dje rreth orës 17:00 ku është lënduar një femër. Bëhet e ditur se deri te aksidenti kishe ardhur nga pakujdesia e ngasësit me ç’rast në vendkalim të këmbësorëve goditet këmbësorja e cila merr lëndime të lehta trupore.