image Shtatë gra u vranë nga bashkëshortët gjatë tetë muajve në Shqipëri

Shqipëri

Shtatë gra u vranë nga bashkëshortët gjatë tetë muajve në Shqipëri

news image

Fatin tragjik të Fëllënxë Rrasës e kanë pasur edhe gjashtë gra të tjera përgjatë tetë muajve të këtij viti, në Shqipëri.

Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh, ku më 10 shtator, u ekzekutua dhe Sabrina Bengaj nga ish-bashkëshorti i saj, Elton Metaj. Dhuna, problemet ekonomike dhe tentativa për divorc kanë tronditur vendin nga veriu në jug edhe në gjashtë rastet e tjera kur burrat kanë ekzekutuar gratë e tyre.

Në 17 mars, Irvana Hyka në Fier, e cila ishte në javën e gjashtë të shtatzënisë, u godit për vdekje nga bashkëshorti Demokrat Medinaj. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Sheq i madh” të Fierit, në sytë e fëmijëve të çiftit. Menjëherë pas ekzekutimit të bashkëshortes, Medinaj u largua nga banesa dhe u gjet një ditë më vonë i vetëvrarë.

Më pas, më 10 prill, u vra Fëllënxa Shirja në Kavajë nga bashkëshorti Bilbil Shirja, i cili e dogji të gjallë në makinë. Pak metra më tutje u gjet i vdekur dhe autori i krimit, i cili u vetëflijua. Shkak i krimit horror është bërë xhelozia.

Ngjarja e radhës ishte më 6 maj në Elbasan ku u vra 54-vjeçarja Luljeta Buzo. Ajo u qëllua 7 herë me kallashnikov nga bashkëshorti Koço Buzo, që po e priste jashtë derës së gjykatës. Buzo ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje për dhunën që bashkëshorti i kishte ushtruar, por kjo nuk e ndaloi agresorin për ta ekzekutuar gruan para gjykatës.

Menderie Bici në Librazhd është viktima e radhës, e cila u qëllua për vdekje nga bashkëshorti më 7 qershor. Qemal Bici e ekzekutoi në mënyrë makabre të shoqen, ndërsa më pas vari veten. Çifti patën një sherr, ku situata eskaloi, ndërsa burri mori më pas sëpatën dhe goditi gruan e tij në dhomën e gjumit pas koke duke e lënë të vdekur në vend. Më herët bashkëshortja e kishte denoncuar në polici për dhunë, raporton TVKLAN.

Në 5 korrik, Artan Ismalaja goditi me thikë për vdekje gruan e tij, Klarita Ismalaja, në makinë në Fushë Krujë./GazetaSinjali/