image ShSKUK me reagim: Veç 2 nga 38 klinika të QKUK-së menaxhohen nga ushtrues detyre

Shëndetësi

ShSKUK me reagim: Veç 2 nga 38 klinika të QKUK-së menaxhohen nga ushtrues detyre

news image

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se vetëm dy klinika, ajo e Onkologjisë dhe Kardiokirurgjisë udhëhiqen nga ushtrues detyre.

ShSKUK ka reaguar duke thënë se të gjitha klinikat e tjera menaxhohen nga drejtor të zgjedhur, që sipas tyre janë 36 sosh.

“Reagim ndaj lajmit të pavërtetë të publikuar në media. Deklarimi se shumica e drejtorëve të klinikave në QKUK janë me ushtrues detyre, nuk qëndron, ngase nga 38 klinika dhe shërbime klinike në QKUK, 36 prej tyre menaxhohen nga drejtor të zgjedhur, vetëm 2 institucione, Klinika e Onkologjisë dhe Shërbimi Klinik i Kardiokirurgjisë menaxhohen nga ushtrues detyre. Duhet të theksojmë që për Klinikën e Onkologjisë, konkursi është i hapur dhe është në proces te përzgjedhjes, përmes një procesi konkurrimi të drejtë dhe transparent.” – thuhet në njoftim.

Nga ShSKUK kanë pohuar gjithashtu se të gjithë drejtorët e klinikave janë zgjedhur në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Më tej, theksojmë se Bordi Drejtues i ShSKUK-së, nuk ndërhyn në punën e klinikave por mbikëqyrë dhe i mbështetë, përmes kompetencave ligjore që ka, sipas Statutit, pra punën e të gjitha institucioneve përbërëse të ShSKUK-së. Sqarojmë se të gjithë drejtorët e klinikave në ShSKUK janë zgjedhur në përputhje me legjislacionin në fuqi.” – thuhet në reagim.

ShSKUK në reagimin e tyre kanë shkruar se çdo pretendim që emërimet janë bazuar në përkatësi politike janë të pabaza.

“Çdo pretendim që emërimet janë bazuar në përkatësi politike është i pabazë dhe minon punën e palodhur dhe përkushtimin e stafit tanë për të respektuar standardet më të larta të profesionalizmit dhe transparencës. Sigurojmë publikun se prioriteti ynë mbetet ofrimi i shërbimeve shëndetësore sa më cilësore për qytetarët e Kosovës, dhe që institucionet tona të drejtohen në përputhje me ligjin dhe praktikat më të mira. Andaj, jemi të përkushtuar që të sigurojmë që të gjitha pozitat udhëheqëse në klinikat dhe shërbimet tona klinike të plotësohen përmes proceseve konkuruese të ndershme dhe transparente, bazuar vetëm në merita dhe kualifikime profesionale, pa anime politike.” – thuhet në përfundim të reagimit.

/GazetaSinjali/