Për sulmin fizik ndaj mjekut Bujar Gashi ka reaguar Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK).
Gashi, specializant i ortopedisë, është sulmuar fizikisht mbrëmë nga një pacient në vendin e tij të punës, derisa po ofronte shërbime kujdestarie.
SHSKUK fton organet kompetente ta hetojnë këtë rast.
“SHSKUK dënon ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj mjekut, e quan akt të turpshëm dhe qyqar, ndërkaq fton organet kompetente të merren me rastin.I shqetësuar me incidentin e mbrëmshëm, kolegjiumi i Klinikës së Ortopedisë ka kërkuar hetim të shpejtë, duke theksuar se dhuna nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si mjet i shprehjes së pakënaqësive”, thuhet në reagimin e tyre, transmeton Gazeta Sinjali.
Për sulmin fizik ndaj mjekut, ka reaguar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës, “me shqetësim, indinjatë dhe zhgënjim ka pranuar lajmin e sulmit ndaj kolegut i cili u sulmua mbrëmë në hapësirat e vendit të punës duke ofruar shërbimin shëndetësor. Sulmi ndaj mjekëve është bërë pjesë e protokollit të sjelljes së shërbimmarrësve nëpër institucione shëndetësore, ndërkaq mjeku është bërë viktima e përhershme e këtyre sulmeve serike të cilat nuk kanë të ndalur”, thuhet në reagimin e tyre. /Gazeta Sinjali/