Pas ndeshjes mes Zvicrës dhe Francës, një vajzë e re e mbështjellë me flamurin e Shqipërisë u befasua kur një polic përmes megafonit i tha asaj se e ka vendosur flamurin e gabuar përreth supeve.
Në Basel, Bern, Winterthur dhe Cyrih, megjithë reshjet e shiut, festimet vazhduan deri në mëngjesin e së martës pas triumfit më të madh në historinë e futbollit zviceran. Tifozë të shumtë u mblodhën nëpër rrugë. Njëra prej tyre ishte një vajzë e re e cila e kaloi rrugën afër Bubenbergplatz të Bernit në orët e hershme të mëngjesit të së martës. Aty dëgjohet një zë nga një megafon i Policiës.
“Ky është flamuri i gabuar për sonte”, i tha një polic asaj.
Vajza kthehet kah polici dhe e sheh atë. Polici vazhdon: “Mirupafshim, vazhdo të ecësh”. Ajo iu bind urdhrave, por nuk mund të mos e paraqiste me krenari flamurin e saj teksa po largohej.
Ekipi zviceran i futbollit është një grup multietnik lojtarësh. Familjet e të dy golashënuesve në ndeshjen e Francës vijnë nga Bosnja e Hercegovina. Breel Embolo dhe Yvon Mvogo kanë lindur në Kamerun, ndërsa përveç Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës, zakonisht jo pak lojtarë të kësaj kombëtareje i kanë rrënjët në Kosovë e Shqipëri.
Videoja aktualisht po bëhet virale. /Gazeta Sinjali/