image Shqiptarët 'detyrojnë' Apple ta vendos Kosovën në hartë

Teknologji

Shqiptarët ‘detyrojnë’ Apple ta vendos Kosovën në hartë

news image

Peticioni i nënshkruar ‘Put Kosovo on Apple Maps’ nga 197 mijë e 175 qytetarët, ka bërë që Apple ta vendosë Kosovën në hartën e saj.

Kjo është bërë e ditur përmes faqes change.org, në të cilën edhe është nënshkruar peticioni.

Kësaj nisme për vendosjen e Kosovës në hartat e Apple i janë bashkuar shumë qytetarë, ndër ta edhe shumë fytyra publike.

Ndër emrat e njohur që kishin kërkuar vendosjen e Kosovës në hartat e Apple ishin edhe këngëtaret Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha.

Ato kishin shpërndarë në InstaStory kërkesën e tyre ndaj Apple, për ta vendosur Kosovën në hartë.

Por përveç artistëve, fushatës për vendosjen e Kosovës në hartat e Apple i ishin bashkuar edhe politikanët kosovarë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kishte thënë se aplikacionet e Apple janë zhvilluar në Kosovë, prandaj qartazi Kosova është pjesë e botës së Apple.

Ndërsa, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, bashkë me homologun e saj në Shqipëri, Gent Cakajn, i kishin dërguar një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, z. Tim Cook, për t’i kërkuar marrjen e masave për të vendosur kufijtë e Kosovës në shërbimin e Apple Maps.

“Në bashkërendim të plotë me Ministren e Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, sot i kam dërguar një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, z. Tim Cook, për t’i kërkuar marrjen e masave të nevojshme për të paraqitur kufijtë e saktë të Republikës së Kosovës në shërbimin e Apple Maps. Republika e Kosovës është njohur prej shumicës së shteteve të botës demokratike dhe, ashtu siç ka vendosur vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ndaj, presim që Apple Inc. të marrë vendimin e drejtë duke vendosur kufijtë e Republikës së Kosovës në hartat e shërbimeve të saj”, kishte shkruar Cakaj. /Gazeta Sinjali/