Dua Lipa dhe aktori i Hollywood-it, Callum Turner, thuhet se janë gati të kurorëzojnë dashurinë e tyre me martesë. Sipas raportimeve të fundit nga mediat e huaja si The Daily Mail, dyshja pritet të martohet javën e ardhshme në Itali, pas një romance dhe fejese thuajse njëvjeçare.
Dasma është planifikuar të jetë një festë luksoze treditore, e cila pritet të mbledhë miq dhe figura të njohura të botës së shoubizit. Edhe pse fillimisht çifti kishte dëshiruar një ceremoni më private dhe të vogël, organizimi është zgjeruar dhe do të shtrihet në disa lokacione të ndryshme, me të ftuar VIP që pritet të fillojnë të mbërrijnë nga e enjtja dhe gjatë fundjavës.
Mes emrave të përfolur që mund të jenë pjesë e festës është edhe legjenda e muzikës Sir Elton John, i cili ka bashkëpunuar me Duan në vitin 2021 në hitin “Cold Heart”. Po ashtu, në Itali pritet të mbërrijnë edhe artistë të tjerë si Charli XCX dhe Tove Lo, megjithatë detajet e sakta të ceremonisë po mbahen rreptësisht të fshehta për arsye sigurie.
Çifti thuhet se ka nisur lidhjen e tyre në janar të vitit 2024, ndërsa Callum Turner i kishte propozuar këngëtares gjatë periudhës së Krishtlindjeve me një unazë të personalizuar. Fejesa është konfirmuar më vonë nga vetë Dua Lipa në një intervistë për British Vogue, ku ajo ka thënë se vendimi për të ndërtuar jetën pranë tij ishte një ndjenjë shumë e veçantë.
Planet për martesë janë shtyrë për një periudhë të shkurtër për shkak të angazhimeve të të dy artistëve, pasi Dua Lipa ka përfunduar turneun muzikor, ndërsa Callum Turner xhirimet e projekteve të tij.
Përveç martesës, fituesja e çmimeve Grammy ka folur hapur edhe për dëshirën e saj për të krijuar familje në të ardhmen, duke theksuar se dëshiron të gjejë balancë mes karrierës dhe jetës personale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!