Kryetari i rizgjedhur i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka shpërndarë disa foto nga kabineti i tij, ku shfaqin rrëmujë, të cilën sipas tij e kanë shkaktuar stafi i ish-kryetares, Ardita Sinani.
“Përveç kaosit i cili na mirëpriti sot në ambientet e punës, nuk pamë askë nga anëtarët e qeverisjes së kaluar, nuk u bë pranim-dorëzim i detyrës sipas një procesverbali siç e kërkon zakoni dhe për më tepër në kabinet kemi mungesë të paisjeve të punës”, ka shkruar Arifi në faqen e tij në Facebook.
Ai tutje shtoi se do të dëshironte shumë që këto pamje t’i shohin të gjithë ata që deri mbrëmë trumbetuan për humbjen e një kryetare, ngase kështu ishte qeverisja e tyre, kështu pretenduan të na udhëheqin.