Kombëtarja e Shqipërisë ditën e sotme ka mbërritur në Uells ku do luajë ndeshjen e parë miqësore, por një lajm i keq ka ardhur për trajnerin Reja, transmeton Sinjali Sport.
Odise Roshi ka pësuar tërheqje muskulore dhe do lërë grumbullimin për të nisur rikuperimin dhe pushimet.
“Kombëtarja shqiptare ka mbërritur sot në Uells, ku të shtunën, datë 5 qershor, do të luajë ndaj vendasve në miqësore. Delegacioni kuqezi është akomoduar pas mesditës në hotelin ku do të qëndrojë në Kardif, ndërsa pasdite rreth orës 17:30 do të zhvillojë një seancë stërvitore të plotë. Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se trajnerit Edoardo Reja do t’i mungojë një tjetër element i rëndësishëm për këto dy takime. Mesfushori Odise Roshi ka pësuar tërheqje muskulore gjatë seancës stërvitore të ditës së hënë dhe i është nënshtruar menjëherë vizitave të specializuara mjekësore. Duke parë gradën e dëmtimit, stafi mjekësor i Kombëtares ka vendosur që lojtari të qëndrojë pushim dhe të mos jetë i gatshëm për dy miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke. Kësisoj, Roshi nuk ka udhëtuar me skuadrën drejt Uellsit”, thuhet në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. /Gazeta Sinjali Sporti/