image Shqipëria importon naftë më pak se Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ngriten dyshime për kontrabandë

Shqipëri

Shqipëria importon naftë më pak se Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ngriten dyshime për kontrabandë

news image

Tregu i karburanteve është një ndër më të mëdhatë në vend dhe dukshëm nga shifrat më i pakontrolluar. Një vit më parë Shqipëria me një popullsi prej 2.7 milionë banorë, sipas të dhënave zyrtare importoi 611.1 mijë ton naftë. Ndërsa numri i mjeteve sipas INSTANT llogaritet për vitin 2021 në 740.6 mijë në të gjithë vendin.

Por, nëse e krahasojmë me vende të rajonit si Kosova e Maqedonia e Veriut, Shqipëria rezulton se ka importuar mijëra ton më pak karburante.

Kosova me vetëm 397.9 mijë mjete, gati sa gjysma e atyre në vendin tonë ka importuar vitin e kaluar 792.3 mijë ton karburante. Njëlloj rezulton edhe me Maqedoninë e Veriut që vjet importoi 839.6 mijë ton karburant në një kohë që në vend numri i mjeteve llogaritet në 559.4 mijë të tilla.

Referuar këtyre të dhënave, me një numër të tillë automjetesh dhe këtë sasi karburanti të deklaruar dukshëm Shqipëria nuk e plotëson kërkesën për naftë.

Kjo ngre pikëpyetje dhe shton hije dyshimi se kjo pjesë mbulohet më karburant kontrabandë. Humbjet për shtetin në këtë rast do të ishin të konsiderueshme me të ardhura të munguara për këtë mall akcize.

E në fakt, vetë ministrja e Financave Delina Ibrahimaj pak ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë pranoi mungesën e kontrollit për sektorin e hidrokarbureve.

Ajo deklaroi se gjurmimi i karburanteve po mbahet pezull, pasi shteti është në një proces gjyqësor me një kompani private, e cila ka hedhur në gjykatë vendimin e Këshillit të Ministrave për këtë proces./TCH/

/GazetaSinjali/