image Shqipëri: Policia ia liron pushuesve 2000 m2 plazh

Rajon

Shqipëri: Policia ia liron pushuesve 2000 m2 plazh

news image

Policia në Shqipëri ka zhvilluar operacionin për lirimin e hapësirave publike, duke vënë në dispozicion të pushuesve rreth 2000 m2 plazh.

Siç shkruan ATSH, kjo pronë publike ishte e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme.

Policia ka bërë të ditur se janë proceduar 12 pronarë, prej tyre gjashtë në Durrës e gjashtë në Vlorë, për veprat penale “Zënia e hapësirave publike”, “Fshehja e të ardhurave”, “Moslëshimi i kuponit tatimor”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”, transmeton Sinjali.

Policia ka nisur procedimet penale për secilin prej tyre, pasi nga kontrollet e ushtruara në subjektet tregtare në plazhet e Radhimës dhe Gjipesë, është konstatuar se këta shtetas kanë ushtruar aktivitetin “Plazh Privat” me mungesë të theksuar dokumentacioni, nuk lëshonin kupona tatimorë dhe nuk kishin kontratë qiraje me Bashkitë përkatëse.

Pritet që operacioni të vazhdojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin.