image Shqipëri/ Ky është plazhi ndër 40 më të mira në Evropë, pati turistë nga mbarë bota

Shqipëri

Shqipëri/ Ky është plazhi ndër 40 më të mira në Evropë, pati turistë nga mbarë bota

news image

Dikur ishte një zonë e ndaluar, ndërsa sot është kthyer në destinacion, jo vetëm kulturor falë kalasë së Ali Pashë Tepelenës, por edhe plazh për pushuesit që duan të shijojnë detin në gjiret që mbart kjo zonë.

Bëhet fjalë për Porto Palermon, e cila ndodhet mes Himarës dhe Qeparoit. Me gjire të vogla dhe publike, ku çdokush mund të vendosë çadrën, teksa pushuesit ditorë janë të shumtë.

“Këtu është mirë, na pëlqen, mund të pushosh lirshëm, pa problem. Mund të rrijë sa ka dëshirë çdo njeri, është një zgjedhje e mirë për ata që duan të rrinë në plazh të lirë. Natyra është e mirë, e pastër, deti i mirë. Duhet një dorë nga shteti, por nga viti ne vit ka ndryshime, rruga vjet ka qenë e paasfaltuar, sivjet është asfaltuar. Ne jetojmë në Gjermani, do rrimë 2 javë në bregdet, do shkojmë në vende të ndryshme. Natyrisht që do inkurajoja shqiptarët të vijnë në vendin tonë, të investojnë, të jemi të parët”, shprehet një turist.

Bukuritë e plazhit të Porto Palermos bëjnë që edhe kalimtarët të ndryshojnë destinacion dhe ndalojnë për të shijuar detin dhe qetësinë që fal kjo zonë. Një pjesë e mirë e tyre janë turistë të huaj, të cilët preferojnë plazhet publike.

“Kemi ardhur për të kaluar pushimet, ditët më të nxehta të muajit. Na pëlqen këtu se mund të rrimë, të marrim gjërat tona, peshqirët e rrime këtu”, shprehet një tjetër.

Këtë sezon turistik, Porto Palermo ka qenë zgjedhja e mijëra pushuesve shqiptarë dhe të huaj, ku mes alternativave janë të gërshetuara kultura, historia 200-vjeçare e kalasë dhe deti, duke marrë parasysh me një kosto minimale. Pak kohë më parë, e përditshmja britanike ‘The Guardian’ i renditi brigjet në Porto Palermo si një ndër 40 plazhet më të bukura të Evropës./EuronewsAlbania/

/GazetaSinjali/