Nuk janë të rralla rastet që në rrugët e Kosovës shihen qytetarë që dalin në xhamat e veturave në lëvizje, ku bëjnë veprime të ndryshme, me ç’rast rrezikojnë vetën dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik. Raste të tilla jemi mësuar t’i shohim edhe gjatë festave, siç ka ndodhur sot për nder të 28 Nëntorit. Disa të rinj në Prizren kanë vendosur që të bëjnë gjiro nëpër qytet, por duke shkelur rregullat, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur sot në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, thonë sinjalizuesit e Sinjalit. Në pamjet e dërguara shihet një veturë teksa ndalet në mes të rrugës dhe dy vajza janë me një pjesë të trupit jashtë xhamit, të cilat shihen duke u argëtuar, duke rrezikuar veten dhe të tjerët. Madje vetura në të cilën ndodhen ato shihet teksa niset vrullshëm, duke shtuar kështu rrezikun.
Në videon e dërguar që është bërë në rrugën kryesore afër Hotel Therandës në Prizren, shihen pamjet e vajzave sipër veturës, por, tabelat e automjetit nuk mund të identifikohen.
Ende s’dihet nëse Policia ka marrë informacione për këtë rast dhe nëse janë identifikuar personat në fjalë, ndaj të cilëve sipas Ligjit për Kundërvajtje duhet të merren veprimet e duhura, pasi lëvizjet e tilla janë të ndaluara edhe me këtë ligj.
“Gjatë kohës së lëvizjes së mjetit nuk lejohet që personat të kërcejnë, t’i hapin dyert, të dalin me pjesë të trupit jashtë mjetit, të ulen në dritare apo të ngjashme, në pjesë të jashtme të mjetit ose në mjete të bashkëngjitura.”, thuhet në paragrafin 1 të nenit 190 të këtij ligji.
Të gjithë ata që veprojnë në kundërshtim me këto dispozita, dënohen për kundërvajtje, me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) eurosh, gjobë kjo që i shqiptohet edhe shoferit.