Konsumimi i drogës është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti edhe të miturit, duke e dëmtuar shëndetin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një dukuri e tillë, sa shqetësuese aq edhe alarmante është vërejtur nga drejtoria e shkollës së mesme teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, ku sot pasdite një nxënës i moshës së mitur është kapur me substancë narkotike të llojit marihuanë.
Kjo ka bërë që stafi i shkollës të detyrohet ta njoftojë Policinë për ta denoncuar nxënësin.
Posa një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, i mituri është shoqëruar në stacion policor, ku në prani të prindit është intervistuar në lidhje me rastin.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për posedim të paautorizuar të narkotikëve.