Anija humanitare ”Open Arms” ka shpëtuar 69 emigrantë në rrezik për jetën në brigjet e Libisë, të enjten në mbrëmje.
Kësaj shifre i shtohen edhe 55 emigrantë të tjerë të shpëtuar gjatë të enjtes në mesditë dhe 40 të tjerë, të cilët ndodheshin në bordin e anijes “Alan Kurdi”, të gjithë me shpresën për të gjetur një port që mund t’i presë.
OJQ-ja spanjolle “Proactiva Open Arms’’ njoftoi të premten se kishte identifikuar në mesnatë një gomone në vështirësi. Në bord ndodheshin 69 persona me shenja dhune, përfshirë dy fëmijë dhe një grua shtatzënë.
Në bordin e anijes “Open Arms” ka edhe dy foshnja dhe rreth pesëmbëdhjetë gra në mesin e një grupi prej 55 personash të cilët u shpëtuan të enjten, ndërsa gomonia me të cilën udhëtonin po mbushej me ujë dhe rrezikonte të fundosej, transmeton ATSH.