Një shpërthim i fortë ndodhi të premten në hotelin Saratoga në kryeqytetin kubanez Havana, duke shkaktuar dëme serioze në hotel dhe duke rezultuar në viktima të shumta, njoftoi qeveria kubane.
Deri më tani, 18 persona kanë humbur jetën dhe 64 të tjerë janë lënduar. Presidenti Miguel Diaz Canel ka vizituar vendin e shpërthimit.
“Aktiviteti i kërkim-shpëtimit vazhdon në hotel, ku është mundur të ketë ende njerëz të bllokuar”, tha qeveria në një postim të mëparshëm në Twitter.
Qeveria kubane tha se shpërthimi mund të ketë ndodhur për shkak të punimeve për gazin e lëngshëm që po bëheshin në hotel.
Postimet në mediat sociale treguan ndërtesën e hotelit me dëmtime serioze dhe rrënojat në rrugë. Ndërtesat përreth u dëmtuan gjithashtu, ndërsa autobusët dhe makinat jashtë hotelit u shkatërruan.
Shpërthimi ndodhi rreth mesditës në hotelin Saratoga, që ndodhet në Paseo del Prado, në qytetin e vjetër të Havanës. Ndërtesa ndodhet pranë pallatit historik Capitolio dhe një shkolle, ku fëmijët u evakuuan.