Pejë/ Shpërthen gypi, rreth 10 mijë banorë mbesin pa ujë

news image

Që nga ora 05:00 e mëngjesit të sotëm, rreth 10 mijë banorë të Pejës kanë  mbetur pa ujë të pijshëm. Kjo, si pasojë e shpërthimit të gypit kryesor i cili bënë furnizimin e jugut të qytetit të Pejës me ujë, ka bërë të ditur përmes një komunikate KRU ‘Hidrodrini’ në Pejë.

Shpërthimi i gypit në fjalë ka ndodhur në lagjen Çamëria, me ç’rast specialistët e KRU ‘Hidrodrini’, rreth orës 05:05 minuta të mëngjesit, me të marrë informacionin nga qendra për Alarmim i janë përgjigjur vendit të ngjarjes dhe kanë filluar punimet për sanimin e dëmit.

“Sipas specialistëve tanë në terren, vjetërsia e gypit mendohet të jetë shkaku  që ka çuar deri tek ky problem”, thuhet në komunikatë.

Bazuar në specifikat e prishjes dhe të terrenit, punimet për rregullimin e këtij problem pritet të zgjasin deri rreth mbrëmjes së sotme, kur edhe pritet të rikthehet furnizimi me ujë.

Nga ky dëm, pa furnizim kanë mbetur Bashkësitë Territoriale ‘Asllan Çeshme’, ‘Jarina’ dhe ‘Xhemajl Kada’./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin