image Shpartallohet banda e shqiptarëve në Spanjë, sekuestrohen mijëra kg marihuanë, paratë silleshin edhe në Shqipëri

Evropë

Shpartallohet banda e shqiptarëve në Spanjë, sekuestrohen mijëra kg marihuanë, paratë silleshin edhe në Shqipëri

news image

56 persona, shumë prej tyre shqiptarë, kanë rënë në pranga si pjesë e një prej rrjeteve më të mëdha të kultivimit të marihuanës në Katalonjë. Mediet spanjolle raportojnë se bëhet fjalë për një  biznes 12 milionë euro. Gjatë aksionit policia ka zbuluar 24 plantacione të kultivimit të drogës dhe u sekuestruan më shumë se 22.600 bimë dhe 1250 kilogramë marihuanë.

Ekspertët besojnë se organizata ka futur në xhep, vetëm në Katalonjë, më shumë se tre milionë euro me trafikimin e kësaj lënde, një shifër që mund të shumëzohet me tre ose katër me eksportin e kësaj substance në pjesën tjetër të Evropës. Kështu grupi mund të kishte fituar nga nëntë deri në 12 milionë euro në vit.

Për këto fakte, Agjencia Tatimore ka hapur një hetim paralel për një krim të dyshuar pastrim parash . “Paratë që ata fituan në Katalonjë u kthyen në qarkun ligjor të parave, kryesisht në tre mënyra”, shpjegoi kreu i Shërbimit të Mbikëqyrjes Doganore të Agjencisë Tatimore Antonio Lajusticia.

E para, duke dërguar para në Shqipëri, në vendin e origjinës së të arrestuarve, në valixhe apo transaksione të vogla ekonomike. Nga ana tjetër, ata blenë biznese në Katalonjë, kryesisht bare dhe kafeteri në të cilat i investonin këto para dhe i kalonin në dobi të këtyre bizneseve. Dhe së fundi, me blerjen e pasurive të paluajtshme nga drejtuesit e organizatës.

E eksportonin me rrugë

Organizata kultivoi dy lloje marijuane. Këto dy lloje karakterizohen nga efekte shumë të fuqishme dhe çmimin në tregun e zi që varion nga 2300 deri në 2500 euro për kilogram, dukshëm më i lartë se mesatarja e kësaj lënde.

Droga që ata eksportonin në Evropë transportohej kryesisht me rrugë , por edhe nëpërmjet një dyqani në provincën e Barcelonës. Paratë e përfituara nga këto operacione të paligjshme ishin burimi kryesor i të ardhurave për organizatën, e cila riinvestoi një pjesë të vogël në instalimin e më shumë plantacioneve, shkruan abcnews.

Katalonja, kopshti i Evropës

Katalonja është bërë “importues i krimit dhe eksportues i marihuanës në nivel evropian”. Prodhimi i marijuanës është rritur në mënyrë eksponenciale në territor që nga viti 2017, me organizata evropiane që janë vendosur në Katalonjë dhe kanë marrë përsipër këtë aktivitet dhe individë që dikur kryenin akte të tjera kriminale, si grabitje me forcë, dhe ata kanë kaluar në marijuanë sepse është një biznes më fitimprurës.

/GazetaSinjali/