Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur orë policore në gjithë territorin e këtij vendi në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Ora policore hyn në fuqi nga e diela, prej orës 21:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit.
Gjatë orës policore do të lëvizin vetëm pjesëtarët e forcave të sigurisë, punonjësit e shërbimeve kujdestare të ndërmarrjeve publike, si dhe qytetarët të cilët duhet të kenë leje të veçantë apo udhëzime mjekësore për trajtime shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi gjatë ditës të shtunës se janë regjistruar edhe 9 raste të reja me Covid-19 duke e çuar numrin e të infektuarve me koronavirus në 85. Raste me koronavirus deri më tani janë regjistruar në Shkup, Dibër, Shtip, Kavadar, Gostivar dhe Ohër.
Në vetizolim janë mbi 4 mijë persona ndërsa qeveria ka njoftuar se në dispozicion të personave të prekur janë vendosur të gjitha objektet shtetërore, por edhe hotele.