Përkundër faktit se organizimi i lojërave të fatit, bixhozit e aktivitete të skemave piramidale, është i ndaluar me ligj, prej më shumë se 1 vit, kjo duket se nuk paraqet pengesë për personat, të cilët po organizojnë këso lloj aktivitetesh, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda policisë bëjnë të ditur se në mesditën e djeshme në rrugën “Imri Halili” në Ferizaj, një person është shoqëruar në stacionin policor, për shkak se në lokalin e tij janë hasur disa persona duke luajtur bixhoz.
Këto burime njoftojnë se i dyshuari pas intervistimit është liruar, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Rikujtojmë se Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për rastin e Karaçevës, i cili që nga koha kur këto aktivitete u ndaluan me ligj, ishte një ndër mega-aksionet e Policisë, ku në prangat e Policisë ranë shumë persona që dyshoheshin për kryerjen e veprës penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, për të cilin edhe në ditën që lamë njëri ndër të dyshuarit u vetdorëzua.