image Shoqëria civile kërkon nga Qeveria që t’i zbatojë rezolutat e miratuara nga Kuvendi

Kosovë

Shoqëria civile kërkon nga Qeveria që t’i zbatojë rezolutat e miratuara nga Kuvendi

news image

Përfaqësues të shoqërisë civile po konsiderojnë se rezolutat e miratuara nga Kuvendi si propozime për Qeverinë, duhet të merren më seriozisht dhe të trajtohen në formë më obligative.

Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes “FOL”, Mexhide Demolli-Nimani, ka thënë se tash e sa vite gjithçka përfundon pas miratimit të rezolutave.

“Rezolutat që nxirren nga Kuvendi i Kosovës do të duhej të kishin një rëndësi më të madhe dhe jo të përfundojnë siç jemi mësuar tash e këto vite t’i shohim, miratohet ose jo një rezolutë dhe aty përfundon, duke qenë se nuk janë edhe obligative. Kuvendi si organzi më i lartë do të duhej t’i bënte më obligative, t’i shoh mënyrat se si të detyrohet, ne kemi parë kur ka pasë raste kur janë nxjerr rezoluta që logjikisht ish dashtë edhe Qeveria t’i zbatojë ato mirëpo asnjëherë nuk kemi parë ndonjë raportim më të detajuar se çfarë ka ndodhë pas miratimit të atyre rezolutave” është shprehur ajo në një prononcim për EO.

Poashtu sipas Demolli-Nimanit, këtë legjislaturë do të jetë problematike edhe vetë miratimi i rezolutave.

“Zakonisht partitë opozitare që kanë ndonjë proces që dëshirojnë edhe të krijojnë një proces të caktuar mirëpo jo gjithmon kanë gjetë edhe mbështetje, tash në këtë radhë është pak më problematike duke qenë se partia në pushtet i ka më lehtë numrat e nevojshëm për miratim të një rezolute, do të jetë pak më problematike miratimi i tyre sidomos për ato që vijnë nga partitë opozitare”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Agnesa Haxhiu nga KDI-ja, ka vlerësuar se edhe përkundër faktit që rezolutat janë akte joobigative ligjërisht, Qeveria nuk duhet ta ketë komoditetin e moszbatimit të tyre.

“Rezolutat janë akte ligjërisht joobliguese me të cilat Kuvendi shpreh qëndrim mbi një çështje të caktuar dhe jep rekomandime të cilat konsideron që duhet zbatohen nga ana e ekzekutivit për të përmirësuar një çështje të caktuar. Mirëpo me faktin që ato nuk janë obligative si akte juridike kjo nuk do të thotë që u jep komoditet Qeverisë që të mos marr veprime për t’i zbatuar ato”, është shprehur ajo.

Haxhiu tutje ka theksuar se një nga arsyet se pse këto rezoluta po mbesin pa u zbatuar është mungesa e një mekanizmi të veçantë që e matë zbatueshmërinë  e tyre.

“Ka shumë rezoluta që janë miratuar ndër legjislatura e të cilat nuk kanë gjetur zbatim dhe kjo është për faktin që Kuvendi nuk e ka një mekanizëm që matë zbatueshëminë e rezolutave përveç se i miraton nuk i kthehet më prapa që të shoh se ku qëndron me zbatimin e këtyre rezolutave dhe kjo është një faktorëve që ka ndikuar që Qeveri mos t’i marr shumë seriozisht rezolutat të cilat nxirren prej Kuvendit. Nga njëherë në Kuvend miratohen rezolutat të cilat janë mbivendosje  e një rezolute tjetër, ka shumë rezolutat ta zëmë për çështjen e dialogut të cilat nëse i sheh në thelb janë të njëjta. Problem tjetër është që zakonisht rezolutat që propozohen në Kuvend nga grupe të caktuara parlamentare nuk harmonizohen me grupet e tjera, pra janë të rralla kur gjejnë bashkëpunim mes të gjitha grupeve”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka treguar se pjesën e parë të këtij viti të legjislaturës së tetë janë propozuar gjithsej shtatë rezoluta, të gjitha nga opozita ku vetëm njëra është miratuar nga Kuvendi.

“Sa i takon rezolutave në muajt e parë të legjislaturës së tetë deri tash i kemi të propozuara gjithsej shtatë rezoluta vetëm një është miratuar dhe ajo është “Rezoluta që njeh gjenocidin në Srebrenicë”, ndërsa rezolutat  e tjera pesë janë hedh poshtë me anë të votës dhe një tjetër vazhdon me mbetet ende pa epilog. Të gjitha këto rezoluta janë propozuar prej grupeve parlamentare të opozitës, tre prej tyre janë të PDK-së, dy të AAK-së dhe një e LDK-së dhe shumica e tyre lidhen me situatën me pandeminë”, ka përfunduar ajo. /Gazeta Sinjali/