image Shoferi që shkaktoi aksidentin tragjik ankohet për dy muaj paraburgim, flasin për Sinjalin nga gjykata në Kroaci

Drejtësi

Shoferi që shkaktoi aksidentin tragjik ankohet për dy muaj paraburgim, flasin për Sinjalin nga gjykata në Kroaci

news image

Më 25 korrik të këtij viti në Slavonski Brod të Kroacisë ndodhi një aksident i rëndë, që mori jetën e 10 personave dhe u lënduan 44 të tjerë. E shkaktar për këtë aksident dyshohet të jetë shoferi i autobusit, Dukagjin Lyta, të cilin e kishte zënë gjumi gjatë kohës që ishte duke vozitur.

6 tetor, Gazeta Sinjali ka raportuar se Lytës i është vazhduar paraburgimi për një muaj, mirëpo nga Gjykata e Slavonski Brod kanë thënë që paraburgimi i është zgjatur për dy muaj.

Në një përgjigje për Sinjalin, Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod, ka thënë se i dyshuari ka paraqitur ankesë ndaj këtij vendimi të Gjykatës, mirëpo i është refuzuar.

“Ju njoftoj se shoferit – të pandehurit, Dukagjin Lyta, me urdhër të kësaj gjykate me numër Kir-263/2021, datë 22.11.2021, i është caktuar masa e paraburgimit edhe për 2 muaj. Kundër këtij urdhri ka ushtruar ankesë Dukagjin Lyta, e cila me urdhër të kësaj gjykate nr. Kv II-120/2021, datë 8 nëntor 2021, është refuzuar si e pabazuar”, thuhet në këtë përgjigje.

Autobusi me 69 pasagjerë kryesisht shtetas të Kosovës që punonin në Gjermani, po udhëtonin nga Frankfurti në Kosovë, në autostradën Slavonski Brod të Kroacisë.

Sipas autoriteteve, shoferi, në gjendje të lodhjes dhe paaftësisë për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt, nuk ka lëvizur në distancë të mjaftueshme dhe ka përfunduar në sipërfaqen me bar.

Shoferi i autobusit, 52 vjeç, sipas drejtorit të përgjithshëm të policisë kroate, Nikola Milina mund të dënohet deri në 15 vjet burgim për veprën penale të shkaktimit të një aksidenti trafiku.

Ndërsa, nëse do të transferohej në Kosovë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se do t’i respektojnë ligjet e Kroacisë, pasi aty kishte ndodhur aksidenti.

E kryeministri kroat kishte thënë se ishte i ‘trishtuar dhe i pikëlluar’ nga ngjarja dhe u shprehu ngushëllime familjeve dhe qytetarëve të Kosovës.

Dhjetëra qytetarë ndezën qirinj të dielën mbrëma para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në nderim të viktimave të aksidentit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/