Për shkak të komplikimeve nga gripi, një person është vendosur në aparate të frymëmarrjes dhe është në rrezik për jetën, ndërsa 13 persona tjerë me forma të tjera të komplikimeve nga gripi, qëndrojnë të hospitalizuar në Klinikën Infektive në Shkup.
Rastet më të shpeshta janë influenca AH1N1 si dhe pneumonia.
Nga fillimi i sezonit deri më tash numri i rasteve me komplikime ka arritur në 53.
“Në bllokun intensiv është një pacient në gjendje të rëndë dhe që lufton për jetën, pacient me sëmundje të mushkërive dhe sëmundje respiratore, për momentin është nën ventilim mekanik. Ka pacientë të rinj dhe më të moshuar, kryesisht të gjithë pacientët janë të pa vaksinuar kundër gripit dhe pjesa më e madhe janë pacientë që kanë pasur paraprakisht ndonjë sëmundje kronike. Preventiva më e mirë kundër gripit është sigurisht vaksinimi, megjithatë është e rëndësishme edhe shmangia e mbledhjeve publike, të kihet kujdes me higjienën personale-larjen e duarve, dhe kur është në pyetje gripi është masë shumë e mirë parandaluese”, tha Sanja Marinkoviq, Klinika për sëmundje Infektive dhe gjendje fibrile-Shkup.
Gjatë javës së tretë të Janarit, Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar 1,100 raste me grip që është një rritje për 88% krahasuar me javën e dytë të 2020-tës.
Më së shumti raste janë regjistruar në qytetin e Strumicës dhe Dibrës ndërsa ashtu si javëve tjera, edhe këtë javë mosha më e prekur është ajo nga 15-64 vjeçe. Numri i rasteve të paraqitura javën e tretë është dyfish më i lartë se java e tretë e sezonit të kaluar – njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.
Për sezonin 2019-2020 numri i përgjithshëm i rasteve me grip dhe sëmundjeve tjera të ngjashme me gripin është 2,718, që është për rreth 17% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjte të vitit të kaluar. /Gazeta Sinjali/