Gazeta Sinjali ka raportuar më herët për përshkallëzimin e situatës në veri pasi janë djegur zyret në komunën e Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Pas publikimit të lajmit ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai përmes një postimi në Facebook i ka quajtur këto veprime si ‘akt kriminal me elemente terroriste’.
Sveçla ka publikuar edhe tri fotografi ku shihet gjendja e zyrës së Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok.
“Sot ora 01:00 pas mesnate, nga një akt kriminal me elemente terroriste të shkaktuar nga persona të dyshimtë është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok”, ka shkruar ai.
Sot është dita e gjashtë që protestuesit serbë kanë barrikaduar pikëkalimin kufitar në Jarinje dhe Bërnjak, pasi u vendos reciprociteti për targat ndaj të gjitha automjeteve që hyjnë nga Serbia në Kosovë.