Ka shkuar në 206 numri i personave të infektuar me koronavirus në Mbretërinë e Bashkuar. Për një kohë të shkurtër, në vendin ishullor u konfirmuan 42 raste të reja.
Departamenti i Shëndetësisë njoftoi të shtunën se mbi 21 mijë njerëz janë testuar për koronavirus në mbarë Britaninë e Madhe, shkruan “Metro UK”.
Këto shifra u publikuan pas dyshimeve se viktima e dytë e koronavirusit ishte lënë të qëndronte për bashkë me njerëz të tjerë të shtrirë në spital para se të dërgohej në izolim.
Viktima e dytë ishte një burrë në të tetëdhjetat, i cili ishte shtrirë në spitalin “Milton Keynes” të martën pasi dyshohej për pneumoni. Ai më parë i kishte vizituar disa shtete.
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom, tha se epidemia është duke u zgjeruar në aspektin gjeografik dhe se një gjë e tillë është thellësisht shqetësuese.
Ndryshe, më shumë se 100 mijë njerëz janë infektuar me koronavirus në mbarë botën. Italia është vendi më i prekur në Evropë. Vetëm në 24 orët e kaluara, në këtë shtet u regjistruan 49 viktima të reja.