Posedimi i armëve të ftohta e atyre të zjarrit është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, duke cenuar sigurinë e qytetarëve. Persona të ndryshëm shpesh kapen në flagrancë me armë nga organet e rendit, por në shumë raste zbulohen edhe në mënyra tjera, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë që është zbuluar së fundi në Prishtinë, ka nisur hetimet Prokuroria.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë me dije se në orët e para të ditës së djeshme, një i ri është dërguar atje me lëndime trupore të cilat dyshohet se i kishte marrë si pasojë e therjes me një mjet të mprehtë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kontaktuar me 28-vjeçarin.
Sinjali mëson se viktima ka bërë me dije se aksidentalisht i ka shkaktuar lëndime vetes së tij me një shpatë të cilën e mban në shtëpi.
Shpata është konfiskuar, teksa përpos 28-vjeçarit është intervistuar edhe babai i tij në cilësinë e dëshmitarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti ndaj të riut është iniciuar për veprën ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.