Sot është ditë zie në Stolac, një qytet në Bosnjë e Hercegovinës pranë epiqendrës së tërmetit që ia mori jetën 27-vjeçares Elmira Sefo.
Për Elmirën komente të shumta kanë shkruar fqinjët, miqtë dhe bashkëqytetarët e saj, të cilët janë ende të tronditur pas tragjedisë që e mbështjelli Stolacin në të zeza. Shoqja e saj tregon se Elmira kishte magjistruar në Fakultetin e Shëndetësisë dhe se e kishte marrë titullin fizioterapiste.
Fqinjët thonë se ajo u kthye në shtëpi nga qyteti pak para tërmetit që ndodhi të premten në orën 23:07. Ajo po ecte në korridor kur një shkëmb u shemb mbi të nga një kodër, duke thyer çatinë e shtëpisë.
Fqinjët që i erdhën në ndihmë nuk mund t’ia hiqnin shkëmbin e rëndë që e kishte zënë përfundi.
E ëma e fqinjit të parë të Elmirës, Uso Cerkez, e cila erdhi në ndihmë, Ediba Cerkez, tha për Dnevni Avaz se “zhurma e gurëve që rrotulloheshin drejt shtëpive nuk do të harrohet kurrë”.
Fillimisht gjithçka filloi të lëkundet, gjithnjë e më fort, dhe më pas u dëgjua zhurma e gurëve që rrotulloheshin dhe rrëzonin pemë e gardhe.
“Ne ishim të parët që shkuam për të ndihmuar, por nuk mundëm ta bënim. Më vonë dëgjuam se ajo ndërroi jetë rrugës për në spital”, thotë ajo mes lotësh.
Qyteti i Stolacit është i banuar kryesisht nga të moshuar të cilët mbështeten nga fëmijët e zhvendosur në vend dhe në botë.
Ditë zie është shpallur dje nga kryetari i komunës së Stolacit, Stjepan Boshkoviq.
“Megjithëse ne shpresonim pas tërmetit se dëmi ishte vetëm material, fuqia shkatërruese e natyrës mori një jetë njerëzore”, tha Boshkoviq.