Dhjetë shqiptarë, të moshës 19-32 vjeç, janë arrestuar në Spanjë pasi akuzohen se janë pjesë e një organizate kriminale që merrej me kultivimin dhe shitjen e marijuanës. Sipas mediave spanjolle, grupi ishte i vendosur në Alikante (Alicante) dhe kishte mbjellë më shumë se 2000 bimë.
Sipas Policisë së Spanjës, të gjithë të arrestuarit kishin ngritur një grup të mirëstrukturuar kriminal, dhe kishin ndërtuar aktivitetin e tyre kriminal në një park për riparimin e anijeve në periferi të Alikantes. Përveç kanabisit, janë sekuestruar edhe 4000 euro cash dhe disa materiale që lidheshin me kultivimin e lëndës narkotike.
Për kultivimin e bimës shqiptarët kishin ndërtuar një sistem të sofistikuar elektrik, me disa transformatorë që furnizonin me energji, por kishin kryer edhe lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, duke vënë në rrezik edhe godinën ku kryenin aktivitetin por edhe godinat përreth.
Ata janë vënë në akuzë për vepra penale kundër shëndetit publik, pjesëmarrje në grup kriminal dhe mashtrime me energjinë elektrike./A2