image Shifrat zyrtare sesa persona janë futur nga Shqipëria në Kosovë që nga tërmetet e njëpasnjëshme

Raport/ Shifrat zyrtare sesa persona janë futur nga Shqipëria në Kosovë që nga tërmetet e njëpasnjëshme

news image

Më shumë se 6 mijë persona vetëm gjatë ditës së djeshme kanë hyrë nga Shqipëria në Kosovë, që prej kohës kur Shqipëria u godit nga tërmetet e pa ndërprera. Megjithatë këto shifra nuk nënkuptojnë se të gjithë këta persona kanë kërkuar ndihmë nga Kosova, raporton Gazeta Sinjali.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës nuk ka ende ndonjë shifër zyrtare sesa persona nga Shqipëria janë futur në Kosovë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Sinjali numrat e personave që kanë hyrë në Kosovë nga Shqipëria gjatë 24-orëve të fundit.

Mediumi ka telefonuar edhe zyrën për media të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por të cilët kanë thënë se nuk kanë ende shifra zyrtare të personave që kanë kërkuar ndihmë nga Shqipëria në shtetin tonë.

“Është periudhë shumë e shkurt kohore dhe nuk kemi ndonjë shifër zyrtare. Fillimisht duhet të bëhet sistemimi i tyre e më pas të kërkohen të dhënat e tyre”, kanë deklaruar nga MPB-ja.

Në një përgjigje me shkrim zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka treguar numrin e automjeteve si dhe personave që kanë hyrë në Kosovë.

Nga pikat kufitare në “Vërmicë”, Qafë e Prushit” dhe “Qafë e Morinës” në total janë futur në Kosovë fiks 6 mijë e 292 persona, të cilët janë kontrolluar nga Policia e Kosovës gjatë hyrjes me automjete. Në ndërkohë 47 këmbësorë pa automjete janë futur gjatë ditës së djeshme në vendin tonë.

Sipas shifrave zyrtare 2 mijë e 443 vetura kanë hyrë në Kosovë, 333 kamionë janë futur në vendin tonë, ndërsa 184 autobusë kanë hyrë gjatë 24 orëve të fundit./Gazeta Sinjali/