Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka reaguar me një komunikatë pasi disa qytetarë në Prizren sulmuan veturën e tyre përderisa po transportonin të dënuarin për krime lufte, Darko Tasiqin
SHKK-ja ka bërë me dije se stafi me të burgosurin janë evakuuar nga ana e policisë dhe janë dërguar në brendi të Stacionit Policor pa ndonjë lëndim, ndërsa vetura e NJPB-së thonë se ka pësuar disa dëmtime.
“Sot, rreth orës 13:50 në oborrin e Gjykatës Themelore në Prizren nga një grup protestuesish është sulmuar vetura e Njësisë për Përcjelljen e të Burgosurve e Burgut të Sigurisë së Lartë, e cila po barte të burgosurin, D.T. Stafi me të burgosurin janë evakuuar nga ana e policisë dhe janë dërguar në brendi të Stacionit Policor pa ndonjë lëndim, ndërsa vetura e NJPB-së ka pësuar disa dëmtime”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 22 vjet burgim të akuzuarin për krime lufte, Darko Tasiq.
Për pikën e parë të aktakuzës, Tasiq u dënua me 7 vjet burgim, kurse për atë të dytën me 15 vjet burgim.
Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe paraushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.
Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.
Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv./ Gazeta Sinjali/