Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ‘nuk e di’ kur u pyet mbrëmë se pse është marrë vendimi që të testohet ai dhe stafi i tij për Covid-19. Këtë veprim të zyrës së kryeministrit, analistët e kanë konsideruar si privilegj ndaj tyre.
“Veç e kam parë në kryeministri ekipin e madh mjekësor që na testoi, duhet ta pyesni shefin e stafit, Luan Dalipin”, tha Kurti mbrëmë në ‘Debat Plus’. Duke shtuar se ‘për hollësitë si erdhi deri te vendimi, nuk e di’.
Për këtë pyetje, Gazeta Sinjali ka marrë përgjigje sot nga Shefi i Kabinetit të kryeministrit në detyrë, Luan Dalipi.
Dalipi tha se një person nga stafi i ngushtë i kryeministrit ka dyshuar se ka pasur kontakt me një të infektuar dhe duke qenë se Kurti ka pasë një sfidë në të kaluarën jo shumë të largët me pneumoni, është parë e arsyeshme të testohet edhe ai.
Sipas Dalipit, ky veprim nuk është privilegj ndaj zyrës së kryeministrit.
“Një nga stafi i ngushtë i Kryeministrit ka dyshuar që ka pasur kontakt me një të dyshuar të infektuar. Për shkak të privatësisë nuk mund të ju tregoj më shumë detaje. Jo, nuk e konsiderojmë privilegj. Kryeministri me Qeverinë e tij në detyrë po e udhëheqin betejën kundër COVID-19, dhe duke qenë se vetë Kryeminstri e ka pasë një sfidë në të kaluarën jo shumë të largët me pneumoni, unë kam konsideruar që është e udhës të testohet ai dhe stafi i tij i ngushtë që janë në punë me të nga 10-14 orë në ditë”, tha Dalipi për Gazetën Sinjali.
Ndryshe, mbrëmë kryeministri në detyrë Kurti, është kritikuar nga analistët pasi për disa çështje të rëndësishme është përgjigjur se ‘nuk e di’./Gazeta Sinjali/