image SHBA rihap konsullatën për palestinezët në Jerusalem, Izraeli kundër

Botë

SHBA rihap konsullatën për palestinezët në Jerusalem, Izraeli kundër

news image

Administrata Biden do të rihapë edhe një herë konsullatën e saj në Jerusalem që ka shërbyer si një ambasadë amerikane për palestinezët. Ndërsa lajmi është pritur mirë nga palestinezët, Izraeli ka reaguar duke thënë se kjo është një ide e keqe që mund të destabilizojë qeverinë e kryeministrit Naftali Benet.

Biden ka njoftuar një kurs tjetër marrëdhëniesh në Lindjen e Mesme, ndërsa ka në plan për të rihapur konsullatën e saj në Jerusalem. Më herët kjo konsullatë ka shërbyer de fakto si një ambasadë për palestinezët.

Ky vendim u mirëprit nga palestinezët, teksa më herët presidenti Biden dhe sekretari i Shtetit Blinken kanë folur për hapa të rinj politikë dhe diplomatikë në rajon dhe  rinovimin e kontakteve me Autoritetin Palestinez.

Ndërkohë, Izraeli e ka konsideruar një “ide e keqe” këtë nismë dhe se mund të destabilizojë qeverinë e re të kryeministrit Naftali Bennett.

“Ne mendojmë se është një ide e keqe,” tha Ministri i Jashtëm Yair Lapid në një konferencë shtypi.

“Jerusalemi është kryeqyteti i Izraelit dhe Izraelit vetëm, dhe për këtë arsye ne nuk mendojmë se nuk është një ide e mirë. Ne e dimë që administrata Biden ka një optikë tjetër për këtë çështje, por meqenëse po ndodh në Izrael, ne jemi të sigurt se ata po na dëgjojnë me shumë kujdes”, tha Lapid.

Administrata e mëparshme e presidentit Donald Trump sinjalizoi mbështetje për pretendimin e Izraelit mbi Jerusalemin si kryeqytetin e tij duke lëvizur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, një lëvizje që zemëroi palestinezët, të cilët duan Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm të tyre.

Presidenti Joe Biden është zotuar edhe më herët që të rivendosë lidhjet me palestinezët ndërsa mbështet një zgjidhje me dy shtete. /Gazeta Sinjali/