Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, ka paralajmëruar Pekinin se do të përballet “absolutisht” me pasoja nëse ndihmon Moskën të shmangë sanksionet gjithëpërfshirëse për luftën në Ukrainë.
“Ne po komunikojmë drejtpërdrejt, privatisht me Pekinin, se do të ketë absolutisht pasoja“, tha Sullivan në një intervistë për CNN.
“Ne nuk do të lejojmë që kjo të vazhdojë dhe të lejojmë që Rusia të ketë një rrugë shpëtimi nga këto sanksione ekonomike nga asnjë vend, kudo në botë”, shtoi tutje ai, shkruan Al Jazeera.
Sullivan pritet të takohet të hënën në Romë me kryediplomatin kinez Yang Jiechi, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga dy ekonomitë më të mëdha në botë për të mbajtur kanale të hapura komunikimi.