image Familjari i viktimave: Nusen s'na ndihmoi askush ta nxjerrim, të dytën herë kur kemi hy e gjetëm në bodrum

Siguri

Familjari i viktimave: Nusen s’na ndihmoi askush ta nxjerrim, të dytën herë kur kemi hy e gjetëm në bodrum

news image

Humbja e dy qytetarëve të Pejës nga vërshimet e mëdha të shkaktuara mbrëmjen e ditës së djeshme si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka tronditur vendin. Dy viktimat nënë e bir, Dion dhe Mirsada Ademaj nuk arritën të mbijetojnë dhe vdiqën tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.

Pas vdekjes së tyre, detaje nga momenti tragjik po dalin në dritë.

Axha i 5-vjeçarit, Albert Ademaj ka deklaruar se përkundër thirrjeve te institucionet, nuk hasën në ndihmë. Madje ai tha se gruan e vëllait e kishte nxjerrë vet, teksa shtoi se në vendin ku e gjeti i kishin thënë se nuk ka asgjë aty.

“I ka thirr kryetarja e lagjes, Policinë, ambulancën, ndihmën, por veç dy policë kanë qenë naltë, as nuk është ardhë ambulanca. Djalin vet e kemi çu në spital, ja kemi dhënë ndihmën e parë, jemi munduar. Nusen nuk na ka ndihmuar askush, për me nxjerrë, e kam nxjerr vet me një shok timin. Ata kanë hallakat qaty e më kanë thënë nuk ka asgjë në podrum. Ne kemi hy vetë për te dytën herë dhe e kam gjetë aty…Një polic e ka thy krahun dhe ambulanca është ardhë për të dhe jo me marrë gjenazen”, tha Ademaj për KP.

Edhe i afërmi tjetër, Haki Rama derisa e përshkroi ngjarjen, tha se pavarësisht përpjekjeve për shpëtim, nuk kanë arritur të shpëtojnë gruan dhe djalin e saj.

“Kjo është tmerrim, kurrë nuk ka ndodhë. Që 70 vjet i kam mbush këtu, dhe kurrë nuk ka qenë uji kështu. Rrugës me ecë uji kështu, e shpijat me ardhë në këtë gjendje, kurrë s’ka ndodhë. Pesë pare nuk i jepi për dëme, vetëm që janë hup gruaja me djalin… Ne të gjithë kemi vrapu t’i shpëtojmë, bile jam i sëmurë prej këmbës, gati uji më ka çu. Nuk kam mujt asgjë t’i ndihmojë. Vetëm shyqyr i kemi shpëtu një familje aty pranë, e kemi ngreh njeriun zhag deri e kemi shpëtu, se ai ka qenë i palëvizshëm”, tregoi Rama.

/GazetaSinjali/