Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump e ka mirëpritur të dielën miratimin nga qeveria të përdorimit të plazmës konvaleshente. Sipas tij, ky trajtim do të shpëtojë jetë të shumta pacientësh të prekur nga koronavirusi. Këtë vendim ai e ka cilësuar si moment historik.
Presidenti Trump dhe sekretari i Shëndetësisë, Alex Azar gjatë një takimi me gazetarët theksuan se një muaj pas trajtimit me plazmë ka pasur një rënie prej 35% të vdekshmërisë te pacientët nën 80 vjeç që nuk kanë qënë në respiratorë dhe që e kanë filluar trajtimin në fazat e hershme të prekjes nga virusi.
“Në prodhimin e ilaçeve të reja, ulja e vdekshmërisë me 35 për qind është një arritje e madhe”, tha Azar, përkrah presidentit në konferencën e shtypit, duke shtuar se “ky është një përparim i madh për trajtimin e pacientëve”.
Plazma konvaleshente sigurohet nga pacientë që e kanë kaluar dhe janë shëruar nga koronavirusi dhe është e pasur me anti-trupa. Ajo është përdorur për të trajtuar dhjetëra mijëra pacientë me COVID-19 në SHBA.
Pak para konferencës së shtypit, Agjencia e Ushqimit dhe Barnave njoftoi se e kishte autorizuar – por teknikisht pa i dhënë miratim përfundimtar – përdorimin e plazmës që përmban anti-trupa nga pacientë të shëruar.
Një ditë para njoftimit, Trump ishte shprehur në një postim në Twitter se “një ‘shtet brenda shtetit’ ose dikush tek Agjencia e Barnave po e bën shumë të vështirë për kompanitë farmaceutike të sigurojnë njerëz për të testuar vaksinat dhe terapitë e reja kundër koronavirusit”.
Në postim ai shkruante më tej se “është e qartë që synojnë ta vonojnë përgjigjen deri pas 3 nëntorit. Duhet të veprojmë shpejt dhe të shpëtojmë jetë!”.
Presidenti Trump iu referua ditës së zgjedhjeve presidenciale, në të cilat ai do të ndeshet me ish-zëvendëspresidentin Joe Biden, kandidatin e Partisë Demokratike.
Deri tani në Shtetet e Bashkuara kanë humbur jetën 177 mijë vetë dhe mbi 5.7 milionë të tjerë janë infektuar, më shumë se në çdo vend tjetër të botës. /Gazeta Sinjali