image "ShBA ka më shumë mirëkuptim për Serbinë", Daçiq: Rezultat i qasjes konstruktive të Vuçiq

Politikë

“ShBA ka më shumë mirëkuptim për Serbinë”, Daçiq: Rezultat i qasjes konstruktive të Vuçiq

news image

“Qëndrimi ndaj Serbisë dhe atmosfera në marrëdhëniet dypalëshe ka ndryshuar shumë”, kështu është shprehur zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, duke komentuar vizitën e tij në Uashington dhe takimin me zyrtarët e Departamentit të Shtetit, Derek Cholet dhe Gabriel Escobar.

I ftuar në median e afërt me regjimin serb, Tv Pink, Daçiq ka thënë se, nga vizita e tij ka kuptuar se ka shumë më tepër mirëkuptim për qëndrimet e Serbisë.

“Sot shihet se ka shumë më tepër mirëkuptim për qëndrimet e Serbisë, shumë më tepër mirëkuptim se cilat janë problemet e Serbisë dhe cili është vizioni i Serbisë. Nuk mund të them që qëndrimet janë të njëjta, sepse ka dallime strukturore dhe sistematike lidhur me këtë çështje për pavarësinë e Kosovës, por tani situata është e tillë që mund të thuhet se mund të ndërtojmë disa themele për partneritetin tonë strategjik të ardhshëm, mendoj se kjo është një gjë shumë e rëndësishme, sepse është e pamundur të mendohet mundësia e arritjes së një zgjidhjeje politike pa marrëdhënie të tilla me ShBA-në,”- është shprehur Daçiq, raporton Kosovo Online.

Më tej, bëhet e ditur se ai ka thënë që ky mirëkuptim i ShBA-së, ka ardhur si rezultat i një qëndrimi të përgjegjshëm të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Kjo është pasojë e qasjes së tij, duke përfshirë këto diskutimet dhe ngjarjet e fundit, pra qasje që është në Uashington dhe në Bruksel, pasi kam pasur rastin ta dëgjoj këtë edhe nga Borelli edhe nga Lajçaku, i cili tha se presidenti Vuçiq është sjellur në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive, ndryshe nga Kurti,”- ka thënë Daçiq.

/GazetaSinjali/