Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier përsëri ka shprehur mbështetjen e tyre për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Hovenier tha se këtë mbështetje do të bëjnë përmes programeve ushtarake dhe planeve zhvillimore.
Ai gjatë një takimi me kreun e FSK-së, gjeneral Bashkim Jashari ka çmuar faktin që FSK është shumë-etnike dhe përfaqëson përbërjen etnike të popullsisë së Kosovës.
Në ndërlidhje me ushtrimet e përbashkëta ambasadori amerikan tha që sinkronizimi dhe mbështetja mes SHBA-së dhe Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ndërsa, gjeneral Jashari e njoftoi ambasadorin Hovenier me planin afatgjatë të zhvillimit të FSK-së si dhe objektivit për pjesëmarrjen në ushtrime dhe misione ndërkombëtare të paqes përkrahë ushtrisë amerikane.
Ai theksoi se FSK është forcë profesionale shumë-etnike, me vlera dhe standardet më të larta, nën kontrollin civil demokratik, si dhe në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore.
Në ndërlidhje me partneritetin mes dy shteteve si dhe Programin e Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Ajovës, gjeneral Jashari tha se SHBA si partner strategjik është jetik dhe do të punojë që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më tej në funksion të paqes, stabilitetit te sigurisë rajonale dhe më gjerë. /GazetaSinjali/