Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar praninë diplomatike në Afganistan dhe punët do t’i kryejnë nga Katari, ka thënë të hënën sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.
Blinken tha se Uashingtoni do t’i vazhdojë përpjekjet e pakursyera për t’i ndihmuar njerëzit që të largohen nga Afganistani, ndonëse trupat amerikane tashmë janë tërhequr nga ky shtet.
Deklarata e kryediplomatit amerikan erdhi pas largimit të aeroplanit të fundit të ShBA-së, duke lënë në Afganistan mijëra afganë që kishin dhënë ndihmë për shtetet perëndimore e të cilët mund t’i kenë plotësuar kushtet për evakuim.
Operacioni i tërheqjes ndodhi një ditë para afatit të caktuar nga Presidenti Biden, i cili është përballur me kritika të ashpra nga Demokratët dhe Republikanët për menaxhimin e situatës në Afganistan që nga avancimi i talibanëve, shkruan Reuters.
“Një kapitull i ri i angazhimit të Amerikës me Afganistanin ka filluar. Është një kapitull në të cilin ne do të udhëheqim me diplomacinë tonë. Ne do t’i vazhdojmë përpjekjet tona të pakursyera për t’i ndihmuar amerikanët, të huajt dhe afganët për t’u larguar nga Afganistani, nëse ata dëshirojnë”, tha Blinken.
Ai tha se besohet që mbi 100 amerikanë që duan të largohen ndodhen ende në Afganistan, por se Uashingtoni po mundohet që ta gjejë numrin e saktë. Mbi 6.000 amerikanë tashmë janë evakuuar. /GazetaSinjali/