image SHBA i bënë thirrje Kinës të pranojë ndihmën e ekspertëve amerikanë për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit

Botë

Shëndetësi/ SHBA i bënë thirrje Kinës të pranojë ndihmën e ekspertëve amerikanë për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit

news image

Zyrtarët e shëndetësisë në SHBA përsëri i bënë thirrje Kinës të pranojë ndihmën e ekspertëve amerikanë për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dërgoi një ekip ekspertësh ndërkombëtarë në Kinë të hënën, por ende nuk dihet nëse në këtë grup përfshihen edhe amerikanë.

Dr Anne Schuchat, Zëvendës Drejtore Kryesore e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u tha gazetarëve të martën në Uashington se “CDC ka dhënë emra për ekipin e OBSH-së dhe ne zakonisht jemi pjesë e ekipeve të OBSH-së”.

Schuchat theksoi se epidemiologët amerikanë, si dhe virologët, ekspertët e kontrollit të infeksionit, ekspertët e karantinës “kanë shumë për të ofruar”, dhe se mund të jetë shumë e dobishme që Kina të ketë ekspertë të huaj në një epidemi.

Ekspertët amerikanë pritet të mësojnë më shumë rreth sëmundjes ndërsa e luftojnë atë.

“Është me rëndësi shumë kritike për ne që të kuptojmë rrugët e ndryshme të transmetimit dhe fuqinë e plotë të virusit, që mund të na ndihmojë me modelet tona se çfarë ndikimi mund të ketë, nëse virusi përhapet në shumë vende,” tha zonja Schuchat.

Që nga fillimi i janarit, SHBA ka ofruar të dërgojë ekspertë në Kinë për të ndihmuar në kontrollin e koronavirusit.

Më 6 janar Qendrat e ShBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ofruan dërgimin e një ekipi amerikan, dhe më 27 janar, Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar përsëriti ofertën për homologun e tij kinez Dr. Ma Xiaowei.

Pasi Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus arriti marrëveshje me Presidentin Kinez Xi Jinping për të pranuar një ekip ndërkombëtar ekspertësh gjatë takimit të tyre në 28 janar, zyrtarët e SHBA nisën përpjekjet për të përfshirë grupin amerikan të ekspertëve në misionin e OBSH-së në Kinë.

“Me sa di, në diskutimet e fundit ka pasur prirje nga ana e Kinës për ta pranuar atë,” tha zonja Schuchat.

Ekspertët amerikanë të shëndetit gjithashtu i kërkuan Kinës të marrë ekspertizën e SHBA në kontrollin e epidemive. /Gazeta Sinjali/