Një armëpushim humanitar do të hyjë në fuqi nesër në mëngjes në enklavën malore të Nagorno-Karabakut, e cila është shndërruar në një arenë të luftimeve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, njoftoi sot Departamenti i Shtetit, transmeton Gazeta Sinjali.
Njoftimi vjen pasi sekretari i Shtetit, Mike Pompeo u takua të premten me ministrat e Jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit në Washington, në një shtytje të re për paqen dhe një takim të bashkë-kryetarëve të Grupit Minsk të OSBE-së, i formuar për të ndërmjetësuar konfliktin.
“Gjatë diskutimeve intensive, bashkëkryetarët dhe ministrat e jashtëm diskutuan zbatimin e një armëpushimi të menjëhershëm humanitar, parametrat e mundshëm për monitorimin e armëpushimit dhe fillimin e diskutimit të elementeve thelbësore të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse,” thuhet në deklaratën e Grupit të Minskut.
Paralajmërimi për një armëpushim humanitar vjen në kohën kur luftime të reja shpërthyen sot midis Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene.
Armenia akuzoi forcat azerbajxhanase për granatimet e vendbanimeve civile, por Baku zyrtar mohoi vrasjen e civilëve duke thënë se ishte gati të zbatonte një armëpushim, me kusht që forcat armene të tërhiqen nga fusha e betejës.
Grupi i Minskut tha se bashkëkryetarët e tij dhe ministrat e jashtëm ranë dakord të takohen përsëri në Gjenevë më 29 tetor, për të arritur marrëveshje dhe për të arritur një paqësore zgjidhjen e konfliktit të Nagorno-Karabakut. /Gazeta Sinjali/