image Shaip Kamberi reagon ashpër pas deklaratave ofenduese të ministrit serb ndaj shqiptarëve - Sinjali

Shaip Kamberi reagon ashpër pas deklaratave ofenduese të ministrit serb ndaj shqiptarëve

news image

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi i ka reaguar ministrit të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, pasi ky i fundit po vazhdon ende t’i referohet shqiptarëve me termin ofendues “šiptari”, shkruan Gazeta Sinjali.

Kamberi përmes një  një postimi në Facebook  ka thënë se nuk ndihet i ofenduar nga dikush që nuk ka dinjitet, mirëpo, sipas Kamberit, Vulin nuk po e respekton as shtetin e Serbisë.

Tutje, deputeti shqiptar ka thënë se Vulin është një nga simbolikat më të mira se ku është katandisur Serbia sot.

Reagimi i plotë i Kamberit:

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Serbisë, z.Aleksandër Vulin vazhdon ta përdor me krenari termin pezhorativ “šiptari” për shqiptarët.

Problemi nuk është se po ndjehem i ofenduar si shtetas i përkatësisë kombëtare shqiptare. Sepse nuk mund të ndjehesh i ofenduar nga dikush që nuk ka dinjitet.

Problemi është se z.Vulin tregon se nuk e respekton vetë shtetin e Serbisë dhe ligjet e saj. I kujtojmë z.Vulin se të gjitha dokumentet zyrtare të Republikës së Serbisë emërtojnë shqiptarët si “Albanci”.

Paramendoni, Ministri i Brendshëm që nuk i përfill ligjet e shtetit, terminologjinë zyrtare. Prandaj, z.Vulin është sot një nga simbolikat më të mira se ku është katandisur Serbia së sotme.

Pa e harruar faktin se duke e përdorur gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, z.Vulin dëshmon se nuk shqetësohet për reagimin që prodhon gjuha e tij, në përditshmërinë e qytetarëve serbë që jetojnë në mjediset e përziera me shqiptarët.

Por natyrisht se z.Vulin nuk shqetësohet për fatin e Sllavicës dhe Draganit që bashkëjetojnë me shqiptarët. Ata dëshiron vetëm t’i shfrytëzojë për pushtetin e tij, duke e aktruar patriotin serbomadh nga restorantet luksoze të Beogradit./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: